Atlas · Shtet
🇨🇭 Zvicër
Informacion praktik i mbledhur nga komuniteti Illyrian Brains për t’u orientuar në Zvicër. Nuk zëvendëson burimet zyrtare.
Harta e rrjetit
Zvicër dhe Qytetet e Rrjetit
Kufiri i shtetit krijon referencën gjeografike; pikat tregojnë qytetet ku rrjeti Illyrian Brains është i orientuar.
Rrjeti lokal · Zvicër
Qytetet e rrjetit
Hap një qytet për kontaktet, aktivitetet dhe informacionin lokal. Specifikat menaxhohen veçmas për çdo komunitet.
Qytet aktiv · ZvicërZurich+
Zvicra është një shtet i vendosur në Evropën Qendrore, pa dalje në det, i njohur për neutralitetin politik, stabilitetin ekonomik dhe nivelin shumë të lartë të jetesës. Me kryeqytet Bernin, 26 kantone dhe rreth 8.9 milionë banorë (2025), vendi bashkon katër gjuhë zyrtare (gjermanisht, frëngjisht, italisht, retroromanisht) dhe tërheq çdo vit emigrantë nga e gjithë bota, përfshirë shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Ky udhëzues u drejtohet atyre që planifikojnë ose kanë nisur tashmë jetën në Zvicër, duke mbuluar jetën e përditshme, emigrimin, integrimin dhe kontaktet e nevojshme.
1. Përditshmëria
Kjo pjesë mbulon aspektet praktike të jetesës në Zvicër – nga gjeografia dhe sistemi politik te banesa, shëndetësia, taksat dhe transporti. Zvicra kufizohet me pesë shtete: Gjermaninë në veri, Francën në perëndim, Italinë në jug, si dhe Austrinë dhe Lihtenshtajnin në lindje, dhe ka një sipërfaqe prej afërsisht 41,300 km².
Zvicra është një republikë federale me një sistem politik të bazuar në demokracinë direkte dhe parlamentare, dhe është e njohur për bashkëjetesën harmonike të katër gjuhëve zyrtare dhe kulturave të ndryshme që e përbëjnë atë. Gjermanishtja flitet nga rreth 62% e popullsisë, frëngjishtja nga rreth 22%, italishtja nga 8% dhe retroromançja nga 0.5%.

Vendi është gjithashtu i njohur për peizazhin e tij malor dhe të bukur, veçanërisht për Alpet, të cilat mbulojnë rreth 60% të territorit dhe përbëjnë një atraksion të rëndësishëm turistik dhe natyror.




🏙️ Banesa
Banesat në Zvicër karakterizohen nga cilësia e lartë e ndërtimit, organizimi funksional, dhe standardet e larta të izolimit termik dhe akustik. Zvicra ka një treg banesash shumë të zhvilluar, por edhe të shtrenjtë, veçanërisht në qytetet e mëdha si Zürich, Gjeneva, Basel apo Lausanne. Shumica e popullsisë (mbi 60%) jeton me qira dhe jo në pronë personale, ndërsa banesat janë shpesh në pallate me shumë apartamente.
Qiratë janë të larta, dhe për të marrë me qira një banesë kërkohen dokumente si deklarata të të ardhurave, referenca nga qiradhënësit e mëparshëm, etj. Për shembull, një banesë prej 55 m² në Cyrih kushton 2’700 CHF, por këto çmime variojnë në varësi të vendndodhjes. Në përgjithësi, sigurimi i një banese në Zvicër nuk është i lehtë, dhe shpesh kjo mund të zgjasë deri në disa muaj.
Këto janë disa nga platformat më të përdorura për kërkim banese: Homegate, ImmoScout24, Tutti.ch, Comparis, RealAdvisor dhe Immobilier.ch.
🏙️ Shëndetësia
Zvicra ka një sistem shëndetësor të decentralizuar, i bazuar në sigurimin e detyrueshëm shëndetësor. Çdo person që banon në Zvicër është i detyruar të ketë një sigurim shëndetësor bazë, i cili ofrohet nga kompani private të licencuara. Çdo person (përfshirë edhe foshnjat e sapolindura) duhet të mbyll/bëjë sigurimin shëndetësor brenda tre muajve nga mbërritja në Zvicër.
Sigurimi shëndetësor financohet pjesërisht nga kompania ku një person është i punësuar dhe pjesërisht nga vetë individi, i cili duhet të paguajë një shumë mujore. Kjo shumë varion në varësi të vendbanimit (kantonit, komunës), moshës, kompanisë së sigurimit dhe nivelit të franshizës (franchise). Shuma që paguhet nga i punësuari dhe që duhet transferuar çdo muaj është rreth 320 CHF (gusht 2025). Franshiza (franchise) është shuma që paguhet nga vetë personi përpara se sigurimi të fillojë të mbulojë kostot (zakonisht nga 200 deri në 2’500 CHF për të rritur). Sa më e lartë të jetë franshiza, aq më e ulët është premia mujore, por rreziku që personi të paguajë më shumë në rast sëmundjeje është më i lartë.
Sigurimi bazë (Grundversicherung) mbulon: mjekun e shtëpisë, spitalet publike në kantonin ku banon personi, barnat e përshkruara nga mjeku (të miratuara nga lista zyrtare e barnave), trajtimet emergjente, shërbime të caktuara të fizioterapisë dhe rehabilitimit, disa ekzaminime parandaluese, si dhe kujdesin për lindjen (për nënën dhe fëmijën).
Sigurimi shtesë (Zusatzversicherung) është opsional dhe mbulon: mjekë specialistë jashtë kantonit, dhoma private në spital, trajtime alternative (homeopati, akupunkturë), kujdesin dentar (i cili nuk mbulohet nga sigurimi bazë), syze, lente kontakti, vaksina jashtë listës zyrtare, etj.
Rekomandohet të merret sigurimi shtesë, por duhet pasur kujdes, pasi kompania e sigurimit mund ta refuzojë atë bazuar në gjendjen shëndetësore të personit.
Kostoja e sigurimit shtesë është rreth 18 CHF në muaj (gusht 2025).
Në rast se personi ka vetëm sigurimin bazë, në situata emergjente mund të shkojë edhe në spitalet e kantoneve të tjera. Ndërsa për trajtime jo emergjente në spitale jashtë kantonit ku banon, kërkohet një miratim paraprak.
Sigurimi dentar nuk mbulohet nga sigurimi bazë, përveç rasteve emergjente ose kur problemet dentare janë pasojë e sëmundjeve të tjera.
Sigurimi shëndetësor duhet të bëhet brenda tre muajve të parë pas zhvendosjes në Zvicër. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë autoritetet do ta zgjedhin sigurimin për personin. Sigurimi mund të ndryshohet çdo vit, deri më 30 nëntor, për vitin pasues.
Nëse të ardhurat janë të ulëta, mund të aplikoni te kantoni për ulje të premisë (Prämienverbilligung/subside) — një subvencion që mbulon pjesërisht ose plotësisht primin mujor. Kushtet dhe formulari varen nga kantoni; kërkoni "Prämienverbilligung" ose "subside assurance maladie" + emrin e kantonit tuaj.
Këtu është një listë me kompani sigurimesh në Zvicër:
Helsana, CSS Versicherung, Sanitas, Swica, Concordia, KPT/CPT, etj.
Për të krahasuar çmimet, franshizat dhe shërbimet, mund të përdoret krahasuesi i Comparis.
Udhëzuesi shëndetësor falas për Zvicrën, në shumë gjuhë (përfshirë shqip), shpjegon sigurimin dhe sistemin shëndetësor për të ardhurit e rinj: migesplus.ch — Udhëzues shëndetësor për Zvicrën.
🏙️ Taksat
Zvicra është një nga shtetet me pagat më të larta në Evropë dhe me taksat më të ulëta. Pavarësisht kësaj, nuk duhet harruar se jetesa në Zvicër është shumë e shtrenjtë, por e mirëstrukturuar dhe cilësore. Sistemi i taksave karakterizohet nga progresiviteti dhe ndarja ndërmjet nivelit federal, kantonal dhe komunal. Të ardhurat personale tatohen në mënyrë të diferencuar, në varësi të vendbanimit, gjendjes familjare dhe nivelit të të ardhurave. Për shkak të decentralizimit, barra tatimore ndryshon ndjeshëm nga një kanton në tjetrin.
Një individ në Zvicër paguan disa lloje taksash dhe kontributesh nga paga e tij bruto, siç janë:
-
Taksimi mbi të ardhurat (Einkommenssteuer) është progresiv, por për një të punësuar arrin deri në rreth 12% (gusht 2025).
-
Kontributet Sociale (Sozialversicherungen):
- AHV (AVS) – Pensioni shtetëror (afërsisht 0.35% – gusht 2025)
- IV – Sigurimi për invaliditet (0.70% – gusht 2025)
- EO – Leje lindjeje, shërbim ushtarak (0.25% – gusht 2025)
- ALV – Sigurimi për papunësi (1% deri në CHF 148’200 – gusht 2025)
- BVG – Pensioni profesional (7–18% – gusht 2025)
- Sigurimi nga aksidentet jashtë punës (1–2% – gusht 2025)
- Shtesë për sigurim shëndetësor (rreth 320 CHF – gusht 2025)
Pra, për një të punësuar, ndalesat mesatare totale nga paga bruto arrijnë rreth 26% (një shembull konkret – gusht 2025).
Deklarimi i taksave (Steuererklärung) bëhet një herë në vit; afati dhe formulari ndryshojnë sipas kantonit, por zakonisht mund të kërkohet shtyrje. Administrata Federale e Taksave (ESTV) ofron një kalkulator zyrtar krahasues sipas kantonit dhe komune: swisstaxcalculator.estv.admin.ch.
Kujdes: shumica e mbajtësve të lejes B (pa leje C) nuk plotësojnë deklaratë vjetore — taksa u mbahet direkt nga paga çdo muaj nga punëdhënësi, e quajtur taksë në burim (Quellensteuer/impôt à la source). Nëse të ardhurat vjetore kalojnë një prag (rreth 120'000 CHF, ndryshon pak sipas kantonit), ose me kërkesë vullnetare për të zbritur shpenzime (p.sh. interesa krediti, kontribute shtesë pensioni), mund/duhet të kërkohet një vlerësim i rregullt tatimor pranë zyrës kantonale të taksave.
🏙️ Transporti
Sistemi i transportit publik në Zvicër është një ndër më të organizuarit, më efikasit dhe më të besueshmit në botë. Ai përfshin një rrjet të dendur trenash, tramvajesh, autobusësh, anijesh dhe teleferikësh, të cilët janë të lidhur në mënyrë të koordinuar në të gjithë territorin e vendit.
Ky sistem karakterizohet nga një koordinim i shkëlqyer midis trenave, autobusëve dhe mjeteve të tjera të transportit. Trenat nisen me një shpeshtësi të lartë – zakonisht çdo 15 deri në 30 minuta – madje edhe në zonat më pak të banuara. Një tjetër veçori dalluese është përpikmëria, pasi Zvicra është e njohur për saktësinë dhe besueshmërinë e trenave të saj.
Shërbimi ofrohet si në nivel kombëtar nga SBB (Schweizerische Bundesbahnen), ashtu edhe në nivel lokal nga kompani të ndryshme si ZVV në Cyrih, BVB në Bazel dhe TPG në Gjenevë.
Në Zvicër ekzistojnë disa lloje abonimesh:
-
Abonimi i përgjithshëm (Generalabonnement – GA) lejon udhëtime të pakufizuara në të gjithë rrjetin e transportit publik në Zvicër, përfshirë trenat, autobusët, tramvajet dhe shumë linja varkash. Ai është i vlefshëm për mbi 250 kompani të transportit publik. Ky abonim kushton:
- Për të rriturit (26 vjeç e sipër): 3’995 CHF në vit, klasa e dytë
- Për të moshuarit (mbi 64/65 vjeç): 3’040 CHF në vit, klasa e dytë
- Ekzistojnë çmime të reduktuara për të rinjtë (16–25 vjeç), fëmijët (si pjesë e një GA familjar) dhe bashkëjetuesin/en; shiko tabelën e plotë te faqja zyrtare.
Çmimet rriten çdo vit (p.sh. +100 CHF nga dhjetori 2026); kontrolloni gjithmonë versionin aktual te faqja zyrtare e GA.
-
Abonimi me gjysmë çmimi (Halbtax-Abo) është një abonim që kushton 190 CHF/vit (nga 25 vjeç e lart) dhe të jep mundësinë që çdo biletë ta blesh me gjysmë çmimi. Kujdes: nëse bëhet abonimi Halbtax-Abo, kjo nuk do të thotë që abonimi i përgjithshëm (GA) mund të blihet me gjysmë çmimi. Këto janë dy abonime të pavarura nga njëra-tjetra.
-
Swiss Travel Pass (për turistë) është i vlefshëm vetëm për jo-rezidentët e Zvicrës dhe kushton nga 232 CHF për 3 ditë. Ai lejon udhëtime të pakufizuara në të gjithë vendin për periudha prej 3, 4, 8 ose 15 ditësh.
-
Abonimet rajonale (p.sh. ZVV në Cyrih) janë të vlefshme në të gjithë kantonin e Cyrihut, dhe çmimi i tyre varet nga numri i zonave që dëshiron të përfshihen. Një abonim vjetor për të gjitha zonat e Cyrihut kushton nga 2’000 deri në 2’500 CHF, ndërsa një abonim mujor për 2 zona kushton 90 CHF në muaj (gusht 2025).
Për sistemin e transportit në Zvicër mund të përdoret aplikacioni SBB Mobile, ku mund të planifikohen të gjitha udhëtimet, të blihen biletat në mënyrë dixhitale, si dhe të merren informacione në kohë reale.
Pra, siç mund të shihet, në përgjithësi çmimi i biletave të transportit publik në Zvicër është relativisht i lartë, por kjo shoqërohet me korrektësi dhe besueshmëri të lartë në shërbim.
🔗 Burime të dobishme për përditshmëria
2. Punësimi
Udhëzime të shkurtra për punën dhe vetëpunësimin. Verifiko kushtet e lejes së qëndrimit dhe kërkesat aktuale para se të fillosh.
💼 Puna si i punësuar
- Kontrata dhe leja e punës duhet të përputhen.
- Përshtat CV-në me gjuhën e kantonit dhe ruaj referencat e punës.
- Kontrollo njohjen e profesionit kur kërkohet.
🏢 Hapja e një biznesi
Krahaso ndërmarrjen individuale, GmbH/Sàrl dhe AG/SA; regjistrimi e taksat mund të varen nga kantoni.
🚀 Startup
Për investitorë, përcakto aksionet, kapitalin dhe pronësinë intelektuale para themelimit.
🧑💻 Freelancing
AHV/AVS vlerëson nëse je realisht i vetëpunësuar. Kontrollo sigurimet, TVSH-në dhe lejen e qëndrimit.
3. Emigrimi
Përmbledh kush mund të emigrojë, llojet e lejeve të qëndrimit, rrugët kryesore ligjore dhe hapat praktikë të para (regjistrimi te komuna, llogaria bankare, patenta) për t’u vendosur në Zvicër.
Zvicra mbetet një nga destinacionet më të kërkuara për emigrim në Evropë, por rrugët për t'u vendosur ligjërisht ndryshojnë ndjeshëm sipas shtetësisë dhe qëllimit të qëndrimit (punë, studim, bashkim familjar, etj.).

🛂 Kush mund të emigrojë dhe çfarë leje duhet
Kush mund të emigrojë në Zvicër?
Emigrimi në Zvicër është i mundur për qytetarët e vendeve të BE-së dhe EFTA-s nën kushte të lehtësuara, ndërsa për qytetarët e vendeve jashtë BE/EFTA kërkesat janë më të rrepta dhe shpesh lidhen me qëllimin e qëndrimit (punë, studim, bashkim familjar, etj.).
Llojet e Lejeve të Qëndrimit
Në Zvicër ekzistojnë disa lloje të lejeve të qëndrimit:
- Leja L – për qëndrime afatshkurtra (zakonisht deri në një vit)
- Leja B – për qëndrime afatgjata dhe punëtorë të kontraktuar
- Leja C – leje qëndrimi e përhershme (pas 5–10 vitesh qëndrimi të rregullt)
- Leja G – për punëtorë të përditshëm që jetojnë në vendet fqinje dhe punojnë në Zvicër
Shqipëria dhe Kosova nuk janë pjesë e BE-së apo EFTA-s, ndaj shtetasit e këtyre vendeve nuk kanë të drejtë të emigrojnë apo të punojnë në Zvicër lirshëm, por mund ta bëjnë këtë nën kushte të veçanta dhe të kufizuara.
Oferta e punës vetë nuk mjafton: punëdhënësi duhet të dëshmojë se nuk gjeti kandidat të përshtatshëm në tregun e brendshëm ose në BE/EFTA, dhe leja i nënshtrohet kuotave vjetore që cakton Këshilli Federal. Detajet e plota (procedura, roli i punëdhënësit, rastet e veçanta si au pair ose praktika) gjenden te FAQ zyrtare e SEM për punën në Zvicër.
🛂 Rrugët ligjore për të emigruar
Rrugët ligjore për të emigruar në Zvicër (për shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut apo shqiptarët e trevave të tjera shqiptare):
-
Përmes një kontrate pune: Kjo është mënyra më e zakonshme dhe e pranueshme për emigrim. Duhet që personi të ketë një ofertë pune të miratuar nga një punëdhënës zviceran. Nëse personi pranohet, atëherë ai do të pajiset me leje qëndrimi B ose L.
-
Bashkimi Familiar: Nëse keni një bashkëshort/e ose prind që jeton ligjërisht në Zvicër (me leje të vlefshme qëndrimi ose pasaportë zvicerane), mund të aplikoni për bashkim familjar. Duhet të dëshmohet lidhja familjare, kapaciteti financiar i personit që jeton në Zvicër dhe strehimi i përshtatshëm.
-
Studime në Zvicër: Shtetasit shqiptarë, të Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut mund të aplikojnë për vizë studimi nëse pranohen në një institucion arsimor të njohur në Zvicër. Duhet të dëshmohet financimi i qëndrimit dhe qëllimi i studimeve.
-
Leje qëndrimi për raste të veçanta: Në raste të rralla, për arsye humanitare, shkëmbime profesionale, kërkime shkencore etj., mund të jepet leje e përkohshme qëndrimi.
Kujdes: Nuk lejohet emigrimi i lirë për qëllime pune pa kontratë apo qëndrim pa dokumente.
🛂 Regjistrimi te komuna (brenda 14 ditëve)
Hapi i parë zyrtar pas gjetjes së banesës është regjistrimi personalisht te zyra e popullsisë e komunës (Einwohnerkontrolle/contrôle des habitants), zakonisht brenda 14 ditëve nga mbërritja dhe para fillimit të punës. Ky regjistrim është ai që më pas lëshon kartën fizike të lejes së qëndrimit (Ausländerausweis).
- Dokumentet e zakonshme: pasaportë, konfirmimi i vizës/lejes nga SEM ose kantoni, kontrata e punës dhe kontrata e qirasë/vërtetimi i banimit.
- Regjistrimi bëhet vetëm personalisht (jo online) kur vjen nga jashtë vendit; mjafton për kantonin dhe komunën e vendbanimit.
- Sigurimi shëndetësor duhet dëshmuar brenda tre muajve nëse nuk e keni ende në momentin e regjistrimit.
🛂 Llogaria bankare
Shumica e bankave kërkojnë pasaportën, kartën/konfirmimin e regjistrimit komunal dhe ndonjëherë kontratën e punës. Bankat kryesore përfshijnë UBS, bankat kantonale (p.sh. ZKB në Cyrih) dhe banka dixhitale si Neon ose Yuh, që zakonisht kanë plan bazë falas. Krahasoni tarifat e kartës, tërheqjet në bankomat dhe shërbimin në gjuhën që kuptoni para se të zgjidhni.
🛂 Konvertimi i patentës së makinës
Një patentë e huaj e vlefshme mund të përdoret deri në 12 muaj nga data e hyrjes së shënuar në lejen e qëndrimit; pas kësaj duhet shkëmbyer me atë zvicerane. Shqipëria dhe Kosova nuk figurojnë mes vendeve të përjashtuara nga provimi praktik (Kontrollfahrt), ndaj zakonisht kërkohet një provim praktik drejtimi, e ndonjëherë edhe teorik — por kontrolloni gjithmonë listën aktuale të vendeve, pasi ndryshon periodikisht.
- Kërkohet: formulari i aplikimit, foto, test i shikimit nga një optikë, patenta origjinale (+ përkthim i noterizuar nëse nuk është në alfabet latin) dhe leja e qëndrimit.
- Aplikimi bëhet te zyra kantonale e qarkullimit rrugor (Strassenverkehrsamt) e vendbanimit — kërkoni "Strassenverkehrsamt" + emrin e kantonit tuaj.
🛂 Njohja e diplomës dhe kualifikimeve
Nëse profesioni juaj është i rregulluar në Zvicër (p.sh. shëndetësi, mësimdhënie, disa role teknike), diploma e huaj duhet të njihet zyrtarisht përpara se të punoni; për profesionet jo të rregulluara, njohja formale zakonisht nuk është e detyrueshme. Sekretariati Shtetëror për Arsimin, Kërkimin dhe Inovacionin (SERI) është autoriteti kompetent.
- recognition.swiss — kontrolloni nëse profesioni juaj kërkon njohje dhe cilit autoritet t'i drejtoheni.
- FAQ zyrtare e SERI/SBFI — procedura dhe kohëzgjatja (mesatarisht disa muaj).
🛂 Nga verifikimi te aplikimi
Shtetasit jashtë BE/EFTA përballen me kuota dhe zakonisht duhet të jenë profesionistë të kualifikuar; punëdhënësi nis procedurën para hyrjes për punë.
- Zgjidh rrugën e saktë: punë, studim, bashkim familjar ose kategori tjetër.
- Verifiko para nisjes: kriteret, afatet, tarifat, përkthimet dhe vendin e aplikimit.
- Pas mbërritjes: kontrollo adresën, kartën e qëndrimit, taksat dhe sigurimin.
- SEM — Working in Switzerland kushtet federale për punësim dhe leje
- ch.ch — Foreign nationals hyrja, qëndrimi, puna dhe familja
- EU Immigration Portal — Switzerland rrugët kryesore sipas qëllimit të qëndrimit
Kujdes: udhëtimi pa vizë ose një vizë vizitori zakonisht nuk jep të drejtë pune.
4. Integrimi
Përmbledh si organizohet integrimi i të huajve në Zvicër: njohja e diplomës, kurset e gjuhës, rregullat shoqërore dhe mundësitë për t'u përfshirë në jetën kulturore dhe natyrën e vendit.
Integrimi i të huajve është një nga prioritetet e autoriteteve zvicerane. Zvicra inkurajon pjesëmarrjen aktive të të huajve në jetën shoqërore, ekonomike dhe kulturore të vendit. Mësimi i njërës prej gjuhëve zyrtare (gjermanisht, frëngjisht, italisht) konsiderohet thelbësor për integrimin e suksesshëm.

📌 Si organizohet integrimi
Autoritetet kantonale ofrojnë kurse gjuhe dhe orientimi për të ndihmuar të sapoardhurit të përshtaten me rregullat, ligjet dhe mënyrën e jetesës në Zvicër. Puna, arsimi, respektimi i normave ligjore dhe përfshirja në komunitet janë faktorë kyç për një integrim të qëndrueshëm.
Shkalla e integrimit merret parasysh edhe në vendimet administrative të mëvonshme, si rinovimi i lejes së qëndrimit, kalimi në leje qëndrimi të përhershme (Leja C) apo natyralizimi, ku njohja e një gjuhe zyrtare dhe pjesëmarrja në jetën shoqërore e ekonomike konsiderohen kritere të rëndësishme.
Zyra Federale për Migracionin dhe Integrimin (Staatssekretariat für Migration - SEM): Është institucioni kryesor që merret me çështjet e migracionit dhe integrimit në nivel federal. Nëpërmjet faqes zyrtare (www.sem.admin.ch) mund të informoheni mbi programet integruese dhe për lejet e qëndrimit dhe natyralizimit.
📌 Zyrat kantonale të integrimit
Çdo kanton ka zyrën ose platformën e vet për integrimin e të huajve, që ofron ndihmë konkrete për:
- Kurse gjuhe të subvencionuara
- Orientim kulturor dhe ligjor
- Këshillim për punësim dhe arsim
Disa shembuj të zyrave të integrimit në disa qytete:
- Zürich – Fachstelle Integration (www.zh.ch/integration)
- Bern – BIZ Berner Beratungsstellen (www.integrationbe.ch)
- Aargau – Kantonales Integrationsprogramm (www.ag.ch/integration)
📌 Gjuha dhe kurse
Niveli i gjuhës që ju duhet varet nga qëllimi: leja e bashkimit familjar ose natyralizimi kërkojnë zakonisht nivel A1–B1 të gjuhës së rajonit (gjermanisht, frëngjisht ose italisht, sipas kantonit). Testi dhe certifikatat zyrtare administrohen nga programi kombëtar fide (Français‑Italiano‑Deutsch), në emër të SEM.
- fide-service.ch — testi i gjuhës, certifikatat e njohura dhe "pasaporta e gjuhës".
- Kurset e subvencionuara (shpesh gjysmë çmimi ose më lirë për të ardhurit) regjistrohen përmes programit kantonal të integrimit (KIP) — kontrolloni zyrën e kantonit tuaj te seksioni më lart.
📌 Rregulla dhe sjellje
- Përpikmëria vlerësohet shumë: mbërritja me vonesë, edhe 5 minuta, shihet si mungesë respekti në punë dhe në takime private.
- Në zonat gjermanishtfolëse përdoret "Sie" (jo "du") me të panjohur dhe në administratë; kalimi në "du" bëhet zakonisht me propozim nga pala më e vjetër ose më e lartë në hierarki.
- Ndarja e mbeturinave merret seriozisht; shumica e komunave kërkojnë qese zyrtare me pagesë (Sackgebühr/taxe au sac) për mbeturinat e përziera — qeset e gabuara zakonisht nuk mblidhen.
- E diela dhe orët e mesditës/natës respektohen si orë qetësie (Ruhezeiten): shmangni zhurmën, larjen e makinës ose punë me vegla në oborr.
- Përshëndetja ndryshon sipas rajonit: "Grüezi" (gjermanisht), "Bonjour" (frëngjisht), "Buongiorno" (italisht) — përdorimi i gjuhës lokale, edhe pak fjalë, vlerësohet shumë.
Fun fact: Udhëtimi pa biletë nuk trajtohet si thjesht gjobë parkimi — shkelësit regjistrohen në bazën e të dhënave kombëtare SynServ (fshihet pas dy vitesh pa shkelje të reja), dhe gjobat e papaguara mund të kalojnë në regjistrin e borxheve, gjë që mund të ndërlikojë më vonë kërkesat për leje të përhershme ose natyralizim.
Fun fact: Në zona rurale, "zilja e lopës" dhe tingujt e bagëtive nuk llogariten si "zhurmë" edhe gjatë orëve të qetësisë.
📌 Kultura dhe jeta sociale
Jeta e shoqatave (Verein/association) është bazë e socializimit zviceran — ka klube për çdo gjë, nga kori i fshatit te zjarrfikësit vullnetarë. Pjesëmarrja në një Verein lokal është një nga mënyrat më të shpejta për të njohur komunitetin dhe për të praktikuar gjuhën.
- 1 Gusht — Dita Kombëtare e Zvicrës, me zjarre dhe fishekzjarrë nëpër komuna.
- Fasnacht/Carnaval — karnavalet e dimrit, më i famshmi në Bazel (Basler Fasnacht), me parada dhe maska tradicionale.
- Apéro — pije dhe meze të lehta pas pune ose për të mbyllur një takim; pjesë e rëndësishme e kulturës së zyrës dhe fqinjësisë.
- Raclette dhe fondue mbeten vaktet social më klasike në muajt e dimrit, shpesh të ndara mes miqsh ose kolegësh.
Fun fact: Në shumë fshatra, çdo banor pritet të marrë pjesë herë pas here si vullnetar në korparin e zjarrfikësve ose në organizimin e festave lokale — refuzimi i vazhdueshëm mund të "vërehet" nga komuniteti.
📌 Natyra dhe aktivitetet jashtë
Rrjeti kombëtar SchweizMobil harton dhe shënjon rrugët për ecje, çiklizëm, mountain bike dhe skijim fondo në të gjithë vendin, të lidhura me transportin publik.
- schweizmobil.ch — planifikim rrugësh dhe harta interaktive.
- Schweizer Alpen-Club (SAC) — 153 kasolle alpine; anëtarët paguajnë rreth gjysmën e çmimit të fjetjes.
- Liqenet (Gjenevë, Cyrih, Lugano, Thun) janë të hapura për not në muajt e verës; cilësia e ujit kontrollohet rregullisht nga kantonet.
Fun fact: Zvicra ka rreth 60.000 km shtigje ecjeje të shënjuara zyrtarisht — gati sa gjysma e gjatësisë së ekuatorit të Tokës.
📌 Arsimi dhe përkujdesja për fëmijët
Shkolla publike (Volksschule/école obligatoire) është falas dhe organizohet nga kantoni dhe komuna, me kurrikula që ndryshojnë paksa nga njëri kanton në tjetrin. Struktura e zakonshme:
- Kindergarten (kopshti) — 2 vite, zakonisht nga mosha 4 vjeç; në shumicën e kantoneve është i detyrueshëm
- Primarschule (shkolla fillore) — 6 vite
- Sekundarschule (shkolla e mesme e ulët) — 3 vite, deri në përfundimin e arsimit të detyrueshëm (rreth 15–16 vjeç)
Regjistrimi bëhet te zyra arsimore e komunës së vendbanimit, zakonisht menjëherë pas regjistrimit familjar (Einwohnerkontrolle). Fëmijët që nuk flasin ende gjuhën lokale shpesh përfshihen paralelisht në klasa mbështetëse gjuhësore (p.sh. Deutsch als Zweitsprache) krahas mësimit të rregullt.
Familjet me fëmijë nën 16 vjeç (ose nën 25 nëse vazhdojnë shkollimin/formimin) përfitojnë shtesën familjare (Kinderzulage/allocation familiale): minimumi federal është 215 CHF/muaj për fëmijë, dhe 268 CHF/muaj shtesa e formimit për fëmijët mbi 16 vjeç (gusht 2025) — disa kantone (p.sh. Zug, Gjenevë, Vaud) paguajnë më shumë se minimumi. Kërkohet të ardhura mujore prej të paktën 630 CHF nga punësimi për të kualifikuar, dhe kërkesa bëhet pranë kasës kompensuese (Familienausgleichskasse) të punëdhënësit.
🔗 Burime të dobishme për integrimi
🌿 Integrimi, natyra, kultura dhe ushqimi
5. Kontakte
Numrat e emergjencës, përfaqësitë diplomatike shqiptare, kosovare dhe të Maqedonisë së Veriut në Zvicër, si dhe autoriteti federal i migracionit.
Numrat e emergjencës
- 112 – numri i përgjithshëm i emergjencës (Evropa)
- 117 – Policia
- 118 – Zjarrfikësit
- 144 – Urgjenca mjekësore (ambulanca)
- 1414 – Rega, shpëtimi ajror (p.sh. aksidente në male)
Përfaqësimi diplomatik
Ambasada e Shqipërisë (me zyrë në Muri bei Bern) – shërbime konsullore për pasaportë, letërnjoftim, legalizime, çertifikata lindjeje, etj.
- Adresa: Pourtalèsstrasse 45A, 3074 Muri b. Bern
- Tel: +41 31 952 60 10
- Email: embassy.bern@mfa.gov.al
- Faqja zyrtare: ambasadat.gov.al/switzerland
Ambasada e Kosovës në Bernë – shërbime konsullore për qytetarët e Kosovës.
- Adresa: Zähringerstrasse 25, 3012 Bern
- Tel (kancelaria): +41 31 310 06 93 · Tel (konsullata): +41 31 310 06 90
- Email: embassy.switzerland@rks-gov.net
- Konsullata gjithashtu në Gjenevë dhe Cyrih
Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Bernë – shërben për qytetarët nga Maqedonia e Veriut, për pasaporta, certifikata, regjistrime, etj.
- Adresa: Kirchenfeldstrasse 30, 3005 Bern
- Tel: +41 31 352 00 02 / +41 31 352 00 16
- Email: bern@mfa.gov.mk
- Konsullata gjithashtu në Gjenevë dhe Lucernë
Autoriteti federal i migracionit (SEM)
Staatssekretariat für Migration (SEM) harton politikën federale të migracionit dhe azilit. Lejet konkrete të qëndrimit (L, B, C, G) dhe bashkimi familjar administrohen nga zyra kantonale e migracionit sipas vendbanimit, jo drejtpërdrejt nga SEM.
- Adresa: Quellenweg 6, CH-3003 Bern
- Tel: +41 58 465 11 11
- Faqja zyrtare: www.sem.admin.ch
Ndihmë nga komuniteti
Në rast nevoje për informacion shtesë apo ndihmë (vullnetare) paraprake në hapat e parë të zhvendosjes në Zvicër, mund të kontaktoni organizatorin e IB Zürich:
Emiljano Hoxha
Mob: +41 76 434 1887
emi.hoxha92@gmail.com
