Atlas · Shtet
🇸🇪 Suedi
Informacion praktik i mbledhur nga komuniteti Illyrian Brains për t’u orientuar në Suedi. Nuk zëvendëson burimet zyrtare.
Harta e rrjetit
Suedi dhe Qytetet e Rrjetit
Kufiri i shtetit krijon referencën gjeografike; pikat tregojnë qytetet ku rrjeti Illyrian Brains është i orientuar.
Rrjeti lokal · Suedi
Qytetet e rrjetit
Hap një qytet për kontaktet, aktivitetet dhe informacionin lokal. Specifikat menaxhohen veçmas për çdo komunitet.
Qytet aktiv · SuediStockholm+
Qytet aktiv · SuediMalmö+
Mirëseerdhët! Suedia është një nga vendet nordike me ekonominë dhe sistemin social më të zhvilluar në botë, i njohur për cilësinë e lartë të jetës, barazinë sociale dhe teknologjinë e avancuar. Është pjesë e Bashkimit Evropian, por ka ruajtur monedhën e vet – kurora suedeze (SEK) – dhe nuk ka hyrë në eurozonë. Ky udhëzues i nismës Atlas u drejtohet shqiptarëve, kosovarëve dhe maqedonasve që planifikojnë të jetojnë, punojnë ose studiojnë në Suedi, duke mbledhur informacion praktik mbi jetën e përditshme, emigrimin dhe integrimin; nuk zëvendëson në asnjë mënyrë burimet zyrtare.
1. Përditshmëria
Kjo pjesë mbulon aspektet praktike të jetesës në Suedi - që nga banesa, transporti publik, shëndetësia, pagesat dhe rregullat e përditshme.

🏙️ Banesa
Gjetja e banesës në Suedi mund të jetë një nga sfidat më të mëdha, sidomos në qytete të mëdha si Stockholm, Göteborg dhe Malmö.
Llojet kryesore të banesave:
- Hyresrätt – banesë me qira. Nuk e zotëron pronën, por paguan qira mujore.
- Bostadsrätt – apartament që blihet dhe ku paguan një tarifë mujore për shoqatën e banesës.
- Andrahand – qira nga një person që ka kontratën kryesore (second-hand rental). Shumë të sapoardhur fillojnë kështu.
Këshilla:
- Në qytetet e mëdha mund të ketë lista pritjeje për banesa me qira.
- Kontrolloni gjithmonë kontratën dhe mos dërgoni para pa verifikuar pronarin.
- Në fillim shumë njerëz zgjedhin:
- dhomë me qira
- apartament të përkohshëm
- ndarje banese
Faqe të dobishme për kërkim banese:
- Blocket Bostad – shumë përdoret për qira private
https://www.blocket.se - Bostad Direkt – kërkon pagesë për të parë detajet e pronarëve, por mund të jetë më i përshtatshëm për apartamente sesa dhoma
https://www.bostaddirekt.com - Lappis.org – përdoret shumë nga studentët për dhoma
http://www.lappis.org - Andrahand.se – për qira të dorës së dytë
http://www.andrahand.se - Campus Solna – banesa studentore
http://www.campussolna.se - Stora Sköndal Housing – përfshin edhe mundësi studentore me çmime më të ulëta
http://www.storaskondal.se - The Local Noticeboard – shpallje dhe informacione në anglisht
https://www.thelocal.se/noticeboard/ - Sök Studentbostad – kërkim për banesa studentore
https://www.sokstudentbostad.se - Akademisk kvart – banesa për studentë
https://www.akademiskkvart.se - Hemnet – nëse dëshironi të blini pronë
https://www.hemnet.se
🏙️ Financiare
Jeta në Suedi mund të jetë e kushtueshme, sidomos në qytetet e mëdha, por sistemi është shumë i organizuar dhe shumica e pagesave bëhen elektronikisht.
Për një orientim më të gjerë mbi punën, ekonominë familjare, arsimin për të rritur dhe mbështetjen publike, shihni Supporting Yourself and Developing in Sweden.
Për të filluar jetën në Suedi zakonisht nevojiten:
- Personnummer – numri personal suedez që jepet nga Skatteverket kur regjistroheni në regjistrin e popullsisë. Lexoni shpjegimin zyrtar te Personal identity numbers.
- Bankkonto – llogari bankare suedeze
- BankID – identifikim elektronik për shërbime online (merret përmes bankës)
Kosto mesatare mujore
Për një person që jeton vetëm:
- Stockholm: rreth 20,000–28,000 SEK/muaj
- Malmö: rreth 16,000–22,000 SEK/muaj
Qiraja (Hyra)
Çmimet ndryshojnë sipas llojit të kontratës:
- Förstahandskontrakt – kontratë direkte me kompaninë e banesës (zakonisht më e lirë, por më e vështirë për t’u marrë)
- Andrahandskontrakt – qira nga një person që ka kontratën kryesore
Shembuj:
Stockholm:
- Garsoniere / apartament 1 dhomë: 10,000–18,000 SEK/muaj
- Dhomë me qira: zakonisht nga 5,000 SEK+
Malmö:
- Garsoniere / apartament 1 dhomë: 7,000–12,000 SEK/muaj
Ushqimi (Mat / Groceries)
Nëse gatuani shumicën e vakteve në shtëpi dhe hani jashtë vetëm herë pas here:
- Stockholm dhe Malmö: rreth 3,500–5,000 SEK/person në muaj
Transporti
Stockholm:
- Karta mujore SL (metro, autobusë dhe trena lokalë pa limit): rreth 1,020 SEK/muaj
Malmö:
- Karta mujore Skånetrafiken: rreth 650–850 SEK/muaj
Internet dhe energjia (Internet & Utilities)
Mesatarisht:
- Stockholm dhe Malmö: rreth 700–1,500 SEK/muaj
Përfshin:
- internet fiber: rreth 300–450 SEK/muaj
- energji elektrike dhe shpenzime të tjera
Shënim:
- Ngrohja dhe uji shpesh janë të përfshira në qira, por varet nga kontrata.
Sigurimet (Försäkringar)
Sigurimi i banesës (hemförsäkring) është shumë i rekomanduar, qoftë në qira apo në pronësi.
- Rreth 200–400 SEK/muaj
🏙️ Pagesa dhe përfitime
Më të zakonshmet:
- kartë bankare
- aplikacione pagese
- transferta bankare
Përfitime sociale mund të përfshijnë:
- mbështetje për fëmijë
- pushim prindëror
- ndihma sociale sipas kushteve
- mbështetje gjatë papunësisë
Kushtet ndryshojnë sipas përfitimit dhe situatës personale. Kontrolloni informacionin aktual në faqen në anglisht të Försäkringskassan.
🏙️ Shëndeti dhe urgjenca
Sistemi shëndetësor suedez financohet kryesisht nga taksat. Kjo do të thotë që pjesa më e madhe e kostove të kujdesit shëndetësor mbulohet nga shteti dhe rajonet.
Në Suedi ekziston një sistem me kufij vjetorë të pagesave (högkostnadsskydd), që mbron qytetarët nga shpenzime shumë të larta.
- Për vizita mjekësore dhe trajtime shëndetësore, një person zakonisht paguan vetëm një pjesë të kostos deri në një limit vjetor (rreth 1,100 SEK, varësisht nga rajoni dhe rregullat aktuale).
- Edhe nëse një person ka nevojë për operacion ose trajtime më të mëdha, pjesa më e madhe mbulohet nga sistemi publik.
- Për medikamente ekziston gjithashtu një limit vjetor (rreth 2,000 SEK), pas të cilit shteti mbulon pjesën më të madhe të kostove sipas sistemit të rimbursimit.
Suedia ka një sistem shëndetësor me standarde të larta dhe profesionistë shumë të kualifikuar. Mjekët dhe kirurgët suedezë kanë reputacion të mirë ndërkombëtar dhe vendi është i njohur për ekspertizën në shumë fusha mjekësore, kërkimin shkencor dhe teknologjinë shëndetësore.
- Vårdcentral – qendër shëndetësore për vizita normale
- 1177 – këshilla shëndetësore dhe informacion mjekësor
- 112 – urgjenca
Fëmijët kanë kontrolle dhe kujdes shëndetësor të rregullt.
🏙️ Transporti publik
Transporti publik në Suedi është shumë i zhvilluar dhe i besueshëm.
Përdoren:
- autobusë
- metro
- tramvaj
- trena
Në qytete shumë njerëz përdorin aplikacione për bileta dhe planifikim udhëtimi.
🏙️ Aplikacione, markete
Aplikacione të rëndësishme:
- BankID
- aplikacioni i bankës
- aplikacioni i transportit lokal
- aplikacione për blerje online
Marketet kryesore:
- ICA
- Coop
- Willys
- Lidl
🏙️ Drejtimi dhe makina
Nëse vini me makinë:
- kontrolloni nëse patenta juaj mund të përdoret në Suedi
- mund të nevojitet konvertim i patentës
- në dimër përdoren goma dimërore (vinterdäck)
Kostot përfshijnë:
- sigurimin
- servisin
- karburantin/el
- parkimin
🔗 Burime të dobishme për përditshmëria
2. Punësimi
Udhëzime të shkurtra për punën dhe vetëpunësimin. Verifiko kushtet e lejes së qëndrimit dhe kërkesat aktuale para se të fillosh.
💼 Puna si i punësuar
- Kërko kontratë me pagën, orarin dhe pushimet.
- Kontrollo collective agreement dhe pensionin kur zbatohet.
- Ruaj payslips dhe deklaratat e Skatteverket.
🏢 Hapja e një biznesi
Zgjidh enskild näringsverksamhet ose aktiebolag dhe regjistro F-tax, VAT dhe punëdhënësin sipas rastit.
🚀 Startup
Aktiebolag është zakonisht më praktik për aksione dhe investitorë; leja e qëndrimit është proces më vete.
🧑💻 Freelancing
Freelanceri zakonisht kërkon F-tax ose FA-tax dhe duhet të kontrollojë VAT-in e marrëdhënien reale me klientin.
🔗 Burime të dobishme për punësimi
3. Emigrimi
Përmbledh informacionin bazë për ardhjen në Suedi: dokumentacionin, llojet e lejeve të qëndrimit, sigurimin shëndetësor dhe regjistrimin në qytet.
🛂 Regjistrimi i banimit
Regjistrimi i banimit bëhet në Skatteverket (Agjencia Suedeze e Tatimeve).
Për regjistrim zakonisht nevojitet:
- adresë banimi në Suedi
- dokument identifikimi
- dokumente që dëshmojnë arsyen e qëndrimit (p.sh. punë, studime, familje)
Pas regjistrimit, merrni akses në shumë shërbime publike dhe administrimi juaj në Suedi bëhet më i lehtë.
🛂 Numri tatimor, sigurimi
Edhe kjo procedurë bëhet përmes Skatteverket.
Për personat që vijnë për punë ose studime, aplikimi bëhet zakonisht me:
- kontratë pune (anställningsavtal)
- dokumente studimi (studieintyg)
- dokumentet personale
Nëse plotësohen kushtet, procesi mund të marrë disa javë (shpesh rreth 4 javë, por koha mund të ndryshojë).
Personnummer është shumë i rëndësishëm sepse përdoret për:
- bankë
- BankID
- shërbime shëndetësore
- kontrata dhe shërbime të tjera
Shihni shpjegimin zyrtar të Skatteverket: Personal identity numbers.
🛂 Leja e qëndrimit
Leja e qëndrimit aplikohet përmes Migrationsverket (Agjencia Suedeze e Migracionit).
Për shumë raste pune ose studimi kërkohen:
- kontratë pune në Suedi, ose
- pranim në studime
Në shumë raste aplikimi bëhet para hyrjes në Suedi.
Për aplikantët nga Shqipëria, procedurat konsullore mund të përfshijnë ambasadën suedeze që mbulon aplikimet (p.sh. përmes ambasadës suedeze në Shkup).
Ka edhe juristë dhe avokatë shqiptarë në Suedi që mund të ndihmojnë me çështje emigracioni dhe dokumentacioni.
🛂 Leja e përhershme
Pas disa viteve me leje pune mund të keni mundësi të aplikoni për leje të përhershme.
Për personat me leje pune zakonisht merret parasysh:
- periudha e punës në Suedi
- kushtet e punës dhe të ardhurat
- qëndrueshmëria ekonomike
- përmbushja e kërkesave të Migrationsverket
Nëse keni ndërruar punë gjatë viteve, zakonisht është e rëndësishme që puna të ketë qenë brenda fushës/kategorisë së lejes dhe të ketë respektuar kushtet e kërkuara.
Këshilla:
- Merrni pushimet e detyrueshme sipas rregullave suedeze (semester – zakonisht minimumi 20 ditë pushim të paguar në vit).
- Shmangni qëndrimet shumë të gjata jashtë Suedisë (p.sh. mbi 6 muaj), sepse mund të ndikojnë në vlerësimin e qëndrimit tuaj.
🛂 Marrja e shtetësisë
Pasi të plotësohen kushtet për qëndrim afatgjatë, mund të aplikoni për shtetësi suedeze përmes Migrationsverket.
Në shumë raste kërkohet:
- rreth 5 vite qëndrim në Suedi
- qëndrim i rregullt dhe i ligjshëm
- përmbushja e kërkesave të tjera sipas situatës personale
Gjithmonë kontrolloni rregullat më të fundit në:
https://www.migrationsverket.se
🛂 Njohja e diplomave
Për diplomat e marra jashtë Suedisë ekziston mundësia e vlerësimit të tyre.
Shërbimi kryesor është:
UHR – Universitets- och högskolerådet
(Agjencia Suedeze për Arsimin e Lartë) https://www.uhr.se
Ata mund të vlerësojnë diplomat universitare dhe të japin informacion për ekuivalencën e tyre në sistemin suedez.
Për profesione të rregulluara (p.sh. mjekë, infermierë, mësues) mund të kërkohet gjithashtu licencim nga autoriteti përkatës.
🛂 Këshillim ligjor dhe emigracion
Burimi zyrtar kryesor për informacion është:
Migrationsverket.se
Aty gjeni informacion për:
- lejet e qëndrimit
- punën
- studimet
- shtetësinë
- familjen
Për raste më komplekse mund të kërkohet ndihmë nga juristë ose avokatë. Ekzistojnë edhe profesionistë shqiptarë në Suedi që ofrojnë mbështetje ligjore.
Na kontaktoni nëse keni nevojë për kontakte të rekomanduara.
🛂 Nga verifikimi te aplikimi
Për shumicën e shtetasve jashtë BE-së, leja për punë ose studim duhet miratuar para udhëtimit. Oferta e punës duhet të plotësojë kushtet suedeze.
- Zgjidh rrugën e saktë: punë, studim, bashkim familjar ose kategori tjetër.
- Verifiko para nisjes: kriteret, afatet, tarifat, përkthimet dhe vendin e aplikimit.
- Pas mbërritjes: kontrollo adresën, kartën e qëndrimit, taksat dhe sigurimin.
- Migrationsverket — Work lejet e punës dhe kërkesat
- Migrationsverket — Study lejet për studime
- EU Immigration Portal — Sweden rrugët e migrimit dhe dokumentet
Kujdes: udhëtimi pa vizë ose një vizë vizitori zakonisht nuk jep të drejtë pune.
4. Integrimi
Ky seksion fokusohet te gjuha, kultura, rregullat shoqërore dhe mundësitë për t’u përfshirë në komunitet. Ai ndihmon në kuptimin dhe pjesëmarrjen aktive në shoqëri.
📌 Gjuha suedeze
Gjuha zyrtare është suedishtja (svenska) dhe mësimi i saj është një nga hapat më të rëndësishëm për integrim.
- Suedishtja është gjuhë gjermanike, prandaj ka ngjashmëri me anglishten dhe gjermanishten (sidomos në fjalor dhe strukturë), por ka një shqiptim më melodik.
- Pothuajse të gjithë suedezët flasin anglisht shumë mirë, prandaj shumë të huaj në fillim jetojnë dhe punojnë vetëm me anglisht, sidomos në kompani ndërkombëtare, IT, inxhinieri dhe fusha akademike.
- Megjithatë, shumë emigrantë që nuk e mësojnë suedishten kanë më pak mundësi për punë lokale, integrim social dhe për të kuptuar më mirë shoqërinë.
Burime të dobishme për të mësuar suedisht:
- SFI (Svenska för invandrare) – kurse falas për shumë të sapoardhur përmes komunës.
- Easy Swedish – materiale të thjeshtuara për fillestarë.
- YouTube – shumë kanale për dëgjim, shqiptim dhe mësim gradual.
- Duolingo – aplikacion për të mësuar bazat e gjuhës.
- SwedishPod101 – mësime online për fillestarë.
- Studieförbundet Vuxenskolan dhe Studiefrämjandet – organizata që ofrojnë kurse dhe aktivitete mësimore në shumë qytete.
- Learn Swedish – ushtrime, video dhe burime falas nga Informationsverige.se.
Këshillë: Në fillim mund të funksiononi me anglisht, por mësimi i suedishtes hap më shumë dyer për punë, miqësi dhe një jetë më të plotë në Suedi.
📌 Rregulla dhe sjellje
Shoqëria suedeze vlerëson:
- respektin për kohën (att passa tiden)
- barazinë dhe pavarësinë
- komunikimin direkt por të sjellshëm
Planifikimi dhe respektimi i marrëveshjeve janë shumë të rëndësishme.
📌 Për studentët
Suedia ka universitete me standarde të larta dhe shumë programe në anglisht.
- Studentët mund të përfshihen në aktivitete universitare dhe organizata studentore.
- Është mundësi e mirë për të krijuar rrjet social dhe profesional.
- Aplikimet për studime bëhen përmes: https://www.universityadmissions.se
Doktoratura në Suedi
Studimet e doktoraturës kombinojnë kërkimin shkencor me studimet akademike. Në shumicën e rasteve doktorandët punësohen nga universiteti, marrin pagë mujore dhe nuk paguajnë tarifë studimi.
Kushtet e pranimit
- diplomë Master ose kualifikim ekuivalent;
- plotësimi i kërkesave specifike të programit ose fushës;
- njohuri të mira të anglishtes; disa programe mund të kërkojnë edhe suedishten.
Si të aplikoni
Pozicionet e doktoraturës shpallen si vende pune në faqet e universiteteve dhe portalet e rekrutimit. Procedura ndryshon sipas universitetit, por aplikimi zakonisht përfshin:
- CV të përditësuar dhe letër motivimi të përshtatur me pozicionin;
- diploma dhe lista notash të përkthyera sipas kërkesave;
- letra reference;
- në disa raste, një propozim kërkimor.
Përvoja nga tema e Masterit, publikimet, projektet kërkimore ose praktikat profesionale mund ta bëjnë aplikimin më konkurrues. Mund të kontaktoni profesorë ose mbikëqyrës të mundshëm për të shprehur interes, por përzgjedhja bëhet përmes procesit zyrtar dhe konkurrues.
Pas pranimit dhe kohëzgjatja
Doktorandi zakonisht nënshkruan kontratë pune me universitetin. Shtetasit jashtë BE-së duhet të kontrollojnë kërkesat për lejen e qëndrimit për studime doktorature. Programi zgjat zakonisht katër vjet me kohë të plotë dhe mund të zgjatet për mësimdhënie, detyra akademike, leje prindërore, sëmundje ose raste të tjera të miratuara.
Lista e kontrollit
- Verifikoni që diploma plotëson kushtet e pranimit.
- Ndiqni shpalljet në faqet e institucioneve suedeze të arsimit të lartë.
- Përgatitni CV-në, letrën e motivimit dhe dokumentet akademike.
- Siguroni referencat dhe përkthimet e kërkuara.
- Aplikoni brenda afatit dhe, pas pranimit, planifikoni lejen e qëndrimit dhe transferimin.
Për hollësi mbi pranimin, të drejtat dhe jetën si doktorand, shihni PhD Handbook.
📌 Rrjetet profesionale
Në Suedi shumë mundësi pune vijnë përmes rrjetit profesional.
- Përdorni platforma si LinkedIn edhe IllyrianBrains.
- Merrni pjesë në evente, kurse dhe komunitete profesionale.
📌 Kultura dhe jeta sociale
Kultura suedeze vlerëson balancën mes punës dhe jetës personale.
- Fika (pushim social me kafe dhe diçka të ëmbël) është pjesë e rëndësishme e kulturës.
- Aktivitetet në komunitet ndihmojnë për të krijuar kontakte.
📌 Natyra dhe aktivitetet në ajër të pastër
Suedezët kanë lidhje të fortë me natyrën (friluftsliv).
- Shëtitjet, biçikleta, kampingu dhe sportet në natyrë janë shumë të zakonshme.
- Natyra është pjesë e rëndësishme e stilit të jetesës në Suedi.
Në Suedi, e drejta e qasjes publike (Allemansrätten) u lejon të gjithëve të shijojnë natyrën edhe në shumë toka private, duke respektuar kafshët, natyrën, pronarët dhe njerëzit e tjerë. Lexoni rregullat te Naturvårdsverket ose shikoni videot shpjeguese.
🔗 Burime të dobishme për integrimi
🌿 Integrimi, natyra, kultura dhe ushqimi
5. Kontakte
Ofron informacion mbi ambasadat shqiptare, kosovare dhe maqedonase në Suedi. Është pika e lidhjes me përfaqësuesit zyrtarë dhe komunitetin shqiptar.
Përfaqësimi Diplomatik
Ambasadat ofrojnë ndihmë për dokumente, identifikim dhe çështje konsullore.
Ambasada e Shqipërisë në Stokholm (mbulon edhe Finlandën):
- Adresa: Capellavägen 7, SE-181 32 Lidingö
- Tel: +46 8 731 0920
- Email: embassy.stockholm@mfa.gov.al
- Faqja zyrtare: ambasadat.gov.al/sweden
Ambasada e Kosovës në Stokholm:
- Adresa: Birger Jarlsgatan 33, SE-111 45 Stokholm
- Tel: +46 8 614 6860
- Email: embassy.sweden@rks-gov.net
Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Stokholm:
- Adresa: Riddargatan 35, SE-100 55 Stokholm
- Tel: +46 8 661 1830
- Email: stockholm@mfa.gov.mk
Këto të dhëna mund të ndryshojnë; konfirmoni gjithmonë në faqen zyrtare përkatëse para një vizite.
Proçedurat e emigrimit nga Shqiperia
Proceset kryesore lidhen me:
- lejen e qëndrimit për punë ose studime
- aplikimin përmes Migrationsverket
- dorëzimin e dokumenteve në ambasadën suedeze kur aplikohet nga jashtë vendit
Informacioni zyrtar: https://www.migrationsverket.se
Shërbime nga biznese shqiptare
Në Suedi ekziston një komunitet shqiptar që ofron shërbime të ndryshme.
- ndihmë me dokumente dhe përkthime
- shërbime ligjore dhe konsulence emigrimi
- biznese lokale (ushqim, transport, shërbime)
Kontakti me komunitetin mund të ndihmojë në integrim dhe orientim në fillim.
Info! Në formë të ngjashme me nismën Atlas, mund të gjeni informacion në faqet e mëposhtme (faqe në suedisht apo anglisht):
- shembull 1
- shembull 2
